Transmetuar më 17-11-2018, 12:21

Partia Demokratike denoncon se buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të jetë kostoja e vetme që do të paguajnë bizneset si faturë e korrupsionit të kudogjendur të qeverisë së Edi Ramës.

Deputeti demokrat Endri Hasa tha sot se çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600-1000 euro si faturë për vendimin korruptiv, të qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve.

Sipas tij, paralajmërimi i Partisë Demokratike, që kur denoncoi për herë të parë aferën korruptive, duke deklaruar edhe fituesin e paracaktuar kroat, tani është bërë realitet.

Ai deklaroi se “ministri i korrupsionit”, Arben Ahmetaj, mund të bëjë propagandë nga mëngjesi deri në darkë dhe të gënjejë paturpësisht shqiptaret se kasat fiskale nuk do të ndryshojnë, por e vërteta është se pak ditë më parë qeveria ka miratuar një vendim që, praktikisht, skualifikon kasat ekzistuese.

“Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë- “transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, u shpreh Hasa.

Ai shtoi se kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale.

Në këtë linjë tha se kjo do të thotë se 15 milionë eurot e tenderit korruptiv me kompaninë e paracaktuar kroate, janë vetëm maja e ajsbergut, sepse fatura për bizneset llogaritet të kushtojë nga 80-100 milionë euro.

Ai bëri thirrje që projekti korruptiv për monitorimin biznesit të mos zbatohet, pasi cenon konkurrencën e lirë, mbyll vendet e punës dhe çon drejt falimentimit mijëra biznese. ​/a.y/noa.al

VKM nr. 651, date 31.10.2018 by Anonymous HEo0Kq on Scribd