Transmetuar më 17-11-2018, 11:22

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se mazhoranca e votave të blera qeveris e lidhur me krimin e organizuar.

Sipas saj Shqipëria është e lidhur me krimin për shkak të Edi Ramës.

“Sot nuk kemi 300 mijë vende të reja pune, por 700 mijë shqiptar që largohen. Nuk po flasim për zhvillim të ekonomisë, ashtu sikundër s’po flasim për siguri që pas zgjedhjeve të 2017-ës. LSI nuk kishte mundësi tjetër veç pozicionimit në opozitë. Mund të ishte zhgënjim për një grup njerëzish, por ishte e nevojshme dalja në opozitë! Ose ne do të bëheshim palë me qytetarët ose do të bëheshim pjesë dhe bashkëfajtorë me grupet kriminale të Edi Ramës që sot drejtojnë Shqipërinë”, u shpreh Kryemadhi.

Duke folur gjatë një takimi me strukturat e LSI në Shkodër ditën e sotme, ajo tha se Rama e ka sot vetë dhe kazanin edhe tepsinë, edhe çorbën edhe shushunjat.

Kjo gjë tha ajo, tregon se kontributi i LSI në qeverisje ka qenë jashtëzakonisht i madh, pasi LSI afroi njerëzit më shumë se kushdo tjetër.

Lidhur me deklaratat e Presidentit Ilir Meta, për moderim prej saj, ajo tha se LSI quan moderim të luftosh për të drejtat e qytetarëve për të kthyer pas 400 mijë shqiptarët e larguar.

Sipas saj, moderim do të thotë të luftosh për njerëzit e tu, të luftosh krimin dhe bandat, të rritësh ekonominë, të hapësh vende të reja pune.

Kryemadhi tha se nuk ka dy standarde moderimi, ku familjarët e Edi Ramës favorizohen, ndërsa qytetarët e thjeshtë burgosen. /a.y/noa.al

Meta: Monika duhet të moderohet pak