Transmetuar më 16-11-2018, 17:45

Banorët e ‘Astirit’ në kryeqytet kanë vijuar protestën e tyre në ditën e 13. Banorët kanë bllokuar edhe sonte rrugën, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre të cilat do të prishen sepse preken nga projekti për Unazën e Re.

Një nga banorët thotë se të vetmen pasuri ka shtëpinë që duan tja shembin dhe e ka në proces legalizimi që prej vitit 2005.

“Ne duam atë që na takon dhe të vazhdojë rrugën me 100 korsi dhe jo me 3 korsi. Unë e kam në proces legalizimi që në vitin 2005. Unë do marr kallashin, bomba dhe kush do vijë i pari… atë do bëj.

Nuk kam çfarë bëj se e kam me gjak atë shtëpi. Nuk kemi marrë ende asnjë njoftim nga bashkia apo qeveria se çfarë do bëhet. Ne nuk jemi zaptues, por jemi si gjithë dynjaja. Nuk na kanë dhënë afat se kur duhet të largohemi”- tha banori.

Banorët, banesat e të cilëve janë të legalizuara dhe preken nga projekti, kërkojnë dëmshpërblim me vlerën reale të tregut dhe jo sipas legjislacionit në fuqi. Për ata që banesat i kanë pa leje, është njoftuar nga autoritet përfitimi i një bosi qiraje 3-vjeçar, por banorët janë kundër kësaj zgjidhjeje. Ata kanë paralajmëruar vijimësi të protestave derisa problemi i tyre të marrë zgjidhje.

Protesta mbështetet edhe nga opozita. Edhe këtë pasdite, disa deputetë të opozitës si Dashamir Shehu, Klevis Balliu e të tjerë, kanë qenë të pranishëm në protestë./b.l/noa.al/