Transmetuar më 16-11-2018, 15:41

Pas vrasjes që tronditi Shkodrën pak ditë më parë, por duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e tjera kriminale në këtë qytet, vjen një mesazh i fortë nga Myfti Muhamed Sytari.

“Sot kur Shkodra është zhytur nga një mjegullnaje e zymtë, kur era e krimit, e korrupsionit, vjedhja, shthurjes, përhapja e fajdeve, gënjeshtrave dhe pabesisë, tendencave përherë të denigrimit të rinisë, kanë për qëllim të bëjnë ligjin e t’i ndryshojnë identitetin këtij vendi, ne e kemi për borxh moral, fetar e kombëtar të kthehemi nga vlerat e besimit. Larg besimit dhe vlerave të tij, ky vend nuk ka të ardhme”, -u shpreh imam Muhamed Sytari.

Ngjarja

Një ekzekutim mafioz u shënua këtë të mërkurë në mes të qytetit të Shkodrës, ku një person mbeti i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

40-vjeçari Fatos Ferracaku u qëllua për vdekje në kokë dhe në gjoks, ndërsa miku i tij Fatmir Mehaj me të cilën ndodhej në një lokal në lagjen “Partizani”, në vendin e quajtur ‘Merkata Rus”, mbeti i plagosur në kofshën e këmbës.

Bazuar në dëshmitë e marra nga policia, rezulton se kanë qenë dy persona me motorë dhe me skafandra në kokë ata që kanë bërë atentatin.

Njëri ka qëndruar në motor, ndërsa tjetri i veshur me xhup të kuq me të bardhë dhe me skafandër të kuqe në kokë, ka zbritur për të kryer atentatin.

Pasi e ka qëlluar Ferracakun nga një distancë prej disa metrash, ai është afruar dhe e ka qëlluar në kokë, duke u siguruar që e kishte kryer ekzekutimin.

Atentatori është ka hipur me shpejtësi në motor dhe ka qëlluar në ajër, duke tentuar të mbajë larg personat që ndodheshin në zonë.

Sakaq një motor ngjyrë gri tip “TMAX” 550 kubik, me shpejtësi të madhe, është gjetur i djegur pak pas krimit në lagjen “Guerrile”, i cili mendohet se është përdorur nga autorët.