Transmetuar më 16-11-2018, 12:37

Pas afro dy javësh tensionesh Presidencë-Kryeministri, Ilir Meta jep dritën e parë jeshile lidhur me mundësinë e dekretimit të Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm.

Kjo pasi ditën e sotme ka dekretuar lirimin e tij si gjeneral brigade.

“Presidenti Meta dekreton nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore, Gjeneral Brigade Sandër Lleshaj”, thuhet në dekret.

Kujtojmë se të premten e kaluar Kryeministri Edi Rama ridërgoi për të dytën herë emrin e Lleshaj për dekretim, ndërsa sot përfundon afati kur kreu i shtetit duhet të shprehet.

Presidenti Ilir Meta, i pranishëm në një aktivitet ditën e sotme, u pyet nga gazetarët nëse do e dekretojë Lleshin.

“Ka kohë deri në darkë. Tani po iki në zyrë”, u shpreh shkurt Presidenti.

Teksa me anë të një deklarate publike pak ditë më parë Meta sqaroi arsyet e refuzimit të dekretimit duke thënë se një gjeneral nuk mund të jetë ministër, Kryeministri iu përgjigj po në të njëjtën formë.

Rama i sugjeroi Metës se “Ekspertët tanë, mbrojnë bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjenerali Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj si ministër”

Më tej ai tha se “Ju mund të çdekretoni Sandër Lleshaj si gjeneral aktiv ( bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) dhe pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë). /a.y/noa.al