Transmetuar më 16-11-2018, 11:40

U godit nga një grusht i fuqishëm në kokë, duke përfunduar i shtrirë në ring, për të gjetur vdekjen në moshën 13-vjeçare.

Vogëlushi Anucha Thasako, nuk mbeti viktimë e një agresioni brutal, por e një praktike sportive në vendin e tij, Tajlandë, e cila iu mundëson fëmijëve të vegjël që të ngjiten në ring dhe të rrihen me bashkëmoshatarët e tyre pa asnjë mbrojtje, në gara zyrtare, teksa në ring ndaj tyre vendosen baste.

Kur u ngjit në ringun e ngritur në Samut Prakan, 13-vjeçari, cilësohej si një luftëtar ekspert në boksin tajlandezë, pasi ishte ndeshja e 170-të e tij, teksa karrierën e kishte nisur në moshën 8-vjeçare.

I mituri u dërgua në spital, por mjekët deklaruan vdekjen e tij për shkak të një hemorragjie cerebrale dy ditë pas ndeshjes së të dielës që lamë pas.

Ndërkohë u zbulua se ndeshja mbahej për bamirësi, ku të ardhurat do të shkonin për shoqatat e angazhuara në luftën kundër drogës.

13-vjeçari i mbetur jetim dhe i rritur nga xhaxhai, ishte shtyrë nga të afërmit që të përfshihej në aktivitetin e rrezikshëm, në mënyrë që të siguronte para për të ndihmuar familjen, shkruan noa.al.

Ndërkohë kundërshtari i Anucha, një djalë vetëm 14 vjeç, ndonëse i prekur nga sa ndodhi, deklaroi se nuk do të rresht së ngjituri në ring.

“Kam nevojë për para për të shkuar në shkollë”, tha ai, duke nxjerrë në ankand çorapet që veshi gjatë ndeshjes, në mënyrë që me atë ardhurat e siguruara të ndihmojë familjen e 13-vjeçarit. /a.y/noa.al