Transmetuar më 16-11-2018, 11:21

Një operacion policor i koduar “Cleaner” (Pastrimi) ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në Tiranë, duke vënë në pranga dy persona.

Operacioni u kurorëzua mbrëmjen e kësaj të enjte, kur u vunë në pranga Ermal Demushi, 35 vjeç, banues në Tiranë dhe Emirjon Doçi, 29 vjeç, banues në Allias, Tiranë.

Policia kishte siguruar informacione të ndryshme se dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri tjetrin në zonën e “21 Dhjetorit”, shpërndanin lëndë narkotike heroinë.

Në bazë të këtyre informacioneve, në afërsi të kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në një lokal, janë kapur në flagrancë Ermal Demushi dhe Emirjon Doçi.

Gjatë kontrollit, Doçit ju gjetën 22 doza me lëndë narkotike heroinë, ndërsa Demushit një dozë me lëndë narkotike e dyshuar si heroinë si dhe 140 mijë lekë të reja të dyshuara si të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Kontrolli ka vijuar në dyqanin e Ermal Demushit, ku mbi bazën e informacioneve dyshohej se kishte armë zjarri, dhe nga kontrolli i kryer, iu gjetën një sasi tjetër lënde narkotike e llojit heroinë, një peshore elektronike, një dozë kanabis, 5 kapsolla detonatore me fitil, një armë zjarri pistoletë me mulli, një armë zjarri pistoletë e markës Zastava, 12 fishekë, një fitil zjarr përcjellës si dhe një sasi e vogël lënde eksplozive.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit të automjetit të Ermal Demushit, në bagazhin e saj, iu gjet një pushkë sportive me dylbi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, armët dhe gjithë sendet e kundraligjshme, bashkë me sasinë e parave.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitje lëndëve narkotike në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. /a.y/noa.al