Transmetuar më 16-11-2018, 11:09
Ilir Meta, Sandër Lleshi, Edi Rama

Prej ditësh vijojnë tensionet mes Presidencës dhe Kryeministrisë, për shkak të mos dekretimit si ministër i Brendshëm i Sandër Lleshit, gjë që çoi në emërimin e tij nga Edi Rama si zv.ministër me kompetenca ministri.

Ndërsa të premten e kaluar Rama ridërgoi për të dytën herë emrin e Lleshit për dekretim, sot përfundon afati kur kreu i shtetit duhet të shprehet.

Presidenti Ilir Meta, i pranishëm në një aktivitet ditën e sotme, u pyet nga gazetarët nëse do e dekretojë Lleshin.

“Ka kohë deri në darkë. Tani po iki në zyrë”, u shpreh shkurt Presidenti.

Teksa me anë të një deklarate publike Meta sqaroi arsyet e refuzimit të dekretimit, Kryeministri iu përgjigj po në të njëjtën formë.

Rama i sugjeroi Metës se “Ekspertët tanë, mbrojnë bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjenerali Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj si ministër”

Më tej ai tha se “Ju mund të çdekretoni Sandër Lleshaj si gjeneral aktiv ( bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) dhe pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë). /a.y/noa.al