Transmetuar më 15-11-2018, 21:13

Taulant Muka, i cili dha dorëheqjen nga posti i zv/ministrit të Arsimit 15 ditë pasi mori këtë detyrë, ishte i ftuar në studion e Ora News, ku shpjegoi disa nga arsyet e dorëheqjes.

Ai tha se problematikat në këtë institucion ishin nga më të shumtat, duke filluar me mungesën e dokumentacioneve, deri tek mungesa e ujit të pijshëm.

“ Taulanti kur ka vajtur në punë ka gjetur një zyrë bosh në aspektin e dokumenteve. Unë mbaj mend kryeministrin e vendit dhe zotin Braçe që thoshte që zyrat ishin bastisur.

Unë kisha karrigen dhe tavolinat, por nuk kisha përmbajtjen brenda. Ka qenë një zyrë bosh dhe pulti i televizorit ishte marrë dhe letra higjenike ishte marrë.

Aty kuptova që unë nuk po ndihesha në shtëpinë time dhe pse aty informacioni nuk ishte, sepse pavarësisht kush vjen zv/ministër dokumenacioni duhet të qëndrojë.

Nuk ka një protokoll, zv/ministri nuk është një person kushdo. Ai ka një detyrë të rëndësishme.

Unë nuk jam mësuar me këtë model dhe vij nga një kulturë tjetër. Ka një mungesë menaxheriale.

Në ministrinë e Arsimit nuk ka ujë të pish dhe kafet kushdo që do më vinte në zyrë do ti blija unë me rrogën time”, tha Muka.

Ai deklaroi se kishte kërkuar edhe një takim me Kryeminstrin, por kurrë nuk u realizua.