Transmetuar më 15-11-2018, 16:36
Kostandinos Kacifas

Një bust për Konstantinos Kacifas dhe një rrugë me emrin e tij. Njoftimi për nderimin e 35-vjeçarit nga Bularati që për grekët konsiderohet ‘hero’ është dhënë nga kryetari i bashkisë së qytetit të Argons në Mikenë, Dimitris Kambosos. Iniciativa e tij ka gjetur edhe mbështetjen e këshillit të qytetit.

Ai e ka dhënë njoftimin nëpërmjet një videoje të shpërndarë në internet ku njoftoi se do t’i jepet emri i Konstantin Kacifas një rruge në pjesën jugore të qytetit Argos si dhe ngritjen e një busti sepse “është mirë të prezantojmë historinë tonë moderne”, tha Kambosos.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /b.l/noa.al/