Transmetuar më 15-11-2018, 16:22

Një grua italiane në moshë të thyer, ka shmangur ligjet e vendit të saj duke përdorur spitalin privat, në Tiranë për të bërë fekondim in vitro për të sjellë në jetë një fëmijë.

Ligji nr 40 i vitit 2004 në Itali, për të shmangur rrezikun te nëna dhe fëmija, ndalon femrat mbi moshën 50 vjeç, që të lindin fëmijë.

Nisur nga ky fakt, gruaja 62-vjeçare nga Lazio, duke marrë informacion se në Shqipëri mund të bënte fekondim artificial e ka shfrytëzuar këtë dhe ka mbërritur në Tiranë ku e ka kryer procesin në spitalin privat, raporton noa.al.

Mësohet se gruaja ka paguar deri në pesë mijë euro, për të bërë fekondimin, nëntë muaj më parë.

Ia ka dalë dhe dje në mesditë ka sjellë në jetë një vajzë 3.2 kilogramë në spitalin “San Giovanni” të Romës.

Mjekët thanë se aktualisht nëna dhe fëmija janë në gjendje të mirë.

Lindja u bë çezariane, me epidural, thanë mjekët në Romë.

Vetë nëna 62-vjeçare, pasi solli vajzën Marina në jetë, tha se e bëri fekondimin në Tiranë pasi ligji në Itali e ndalon këtë gjë.

Gruaja e moshuar tha se dëshiron shumë që ta rrisë vajzën të paktën derisa të mbushë 18 vjeçe dhe ne urojmë jetë të gjatë për nënë e bijë.

Mediat italiane raportuan sot se Shqipëria po përdoret gjithnjë e më shumë nga gratë italiane për të bërë fekondim artificial, pasi duket se nuk ka pengesa ligjore si në Itali. /noa.al/