Transmetuar më 15-11-2018, 14:32

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagon pas protestës së mbajtur para bashkisë, nga ana e banorëve të Unazës së Re, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Ai publikon fotografitë e efektivëve të policisë të lënduar gjatë përplasjes me protestuesit.

“Mirënjohje të thellë policëve bashkiakë për qytetarinë e treguar përballë partisë së dhunës, hurit e zjarrit! Shërim të shpejtë oficerëve të plagosur! Si tek Lodrat, Sheshi Skënderbej dhe Pazari i Ri, puna do e mundë dhunën, dhe qyteti do triumfojë mbi barbarinë! Ta harrojnë, Tirana nuk ndalet më”, shkruan Veliaj.

Kujtojmë se gjatë protestës së sotme u hodhën shashka dhe flakadanë, drejt punonjësve të policisë të cilët ishin pozicionuar në derën hyrëse të bashkisë.

Po ashtu ata qëlluan me vezë edhe drejt dritareve të bashkisë. Situata u tensionua duke pasur edhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej afro 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al Banorët e Unazës së Re e bëjnë “tym” para bashkisë, përplasen me policinë