Transmetuar më 15-11-2018, 13:38

Partia Demokratike vijon të kërkojë arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, dhe thotë se kalimi i ditëve dhe mbulimi i tyre me heshtje dhe me censurë mediatike nuk i zvogëlon përmasat e skandalit dhe krimit elektoral, ku është përfshirë Vangjush Dako.

Deputeti Endri Hasa tha sot se në dosjen ‘339’ ndodhen qindra faqe me përgjime që vërtetojnë përdorimin prej organizatës kriminale “Rilindja” të bandës së Avdylajve në Durrës e Shijak për blerjen e votave, në këmbim të favoreve shtetërore.

Sipas tij, vetë kreu i bandës Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge, shpalli ortakërinë mafioze, kur pranoi publikisht se “I zgjidhte hallet me Vangjush Dakon dhe Partinë Socialiste”.

Në këtë drejtim deklaroi se Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte arrestuar brenda ditës “uzurpatorin” e bashkisë së Durrësit, jo vetëm prej dëshmisë publike të Avdylajt, por edhe për shkak se lënia e Dakos në krye të bashkisë së Durrësit, shton mundësitë e prishjes së provave, si dhe të intimidimit të dëshmitarëve.

“Është e provuar prej përgjimeve zyrtare se Kryebashkiaku i Durrësit ka pasur komunikim me bandën e Avdylajve shumë kohë para zgjedhjeve. Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve. Nga përgjimet, shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale”, u shpreh Hasa.

Ai tha se faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg dhe se heshtja e Prokurorisë prej më shumë se 3 javësh, pa bërë përpjekjen më të vogël për hetim, konfirmon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.

Në vijim shtoi se ai po e përdor atë për prishjen e provave dhe mbulimin e skemës kriminale që “Rilindja” përdori me krimin e organizuar për të blerë pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.

Hasa tha se pa arrestimin e Dakos, s’mund të flitet as për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe as të shpresohet se në vend mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike.

“Pa ndëshkuar krimin elektoral, simbolin e tij Vangjush Dako dhe autorët e tjerë të këtij krimi, në Shqipëri nuk do të ketë stabilitet, nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë proces normal politik”, deklaroi në mbyllje deputeti demokrat. /a.y/noa.al