Transmetuar më 15-11-2018, 13:28

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ju përgjigj sot interesit të medias, nëse opozita do të rikthehet në Kuvend apo do të djegë mandatet, duke qenë se dhjetori është afati i fundit për rikthim.

Ajo tha se nuk i duket problemi kryesor sot çështja e mandateve të deputetëve, pasi sipas saj Shqipëria dhe politika shqiptare ka probleme shumë më të mëdha.

“Mendoj sot se problemi më i madh për shqiptarët është varfëria, papunësia. Mendoj që problemi më i madh është mungesa e shpresës e brezit të ri, të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga Shqipëria. Del që 79% e fëmijëve nga mosha 7-14 vjeç kërkojnë për t’u larguar nga Shqipëria. Dhe mendoj që mandatet e deputetëve sot përballë këtij realiteti shumë të hidhur nuk janë asgjë”, u shpreh Kryemadhi.

Madje ajo e cilësoi se një detaj shumë periferik, aq më shumë siç tha ajo kur i bashkëngjitesh edhe problematikave dhe arrogancës së shtetit me banorët e Unazës së Re, ku mbi 360 banesa që do të shkatërrohen.

Kryemadhi shtoi se kjo gjë nuk vjen si rezultat i shkatërrimit të zhvillimit të rrugës sepse nuk ka absolutisht që mund të jetë kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por zhvillimi i tyre vjen si shkak i spostimit të shtratit të Lanës, për të krijuar hapësira dhe sheshe ndërtimi për ndërtues, të cilët i kanë kthyer kompanitë e tyre në kompani të pastrimit të parave.

E pyetur nëse opozita do të zhvillojë protesta, ajo tha se takimet me qytetarët janë në vijim dhe se “opozitën do e drejtojë populli dhe ajo do të jetë instrument në duart e qytetarëve”. /a.y/noa.al