Transmetuar më 15-11-2018, 12:17

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka “prerë dy koka” të rëndësishme në radhët e sistemit të drejtësisë mesditën e sotme, ku një kryegjyqtare dhe një prokuror kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës.

I pari që u shkarkua është prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, i cili iu nënshtrua procesit të vetingut dhe e dyta u shkarkua kryetarja e Gjykatës së Apelit në Vlorë, Alma Liçaj. Vendimi ndaj tyre u dha pak minuta larg njëri tjetrit.

Nga verifikimet e kryera nga KPK si Troci edhe Liçaj u gjetën të papërshtatshëm për vijimin e detyrës.

Troci u verifikua me përparësi për shkak se kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Nga verifikimet e kryera KPK konstatoi se nga deklarata e pasurisë në ILDKPKI, rezulton që prokurori të ketë bërë deklarim të rremë, duke u konstatuar fshehje.

Relatorja e çështjes Pamela Qirko deklaroi në seancën dëgjimore se pasuritë nën hetim janë një apartament banimi 108.7 m2 i ndodhur ne Kashar, ku si burim i blerjes së kësaj pasurie janë deklaruar 2.9 milionë lekë të reja kursime nga ai dhe bashkëshortja dhe kredi 2.5 milionë lekë.

Burimet për blerjen e apartamentit rezultojnë të ligjshme, por ka dyshime lidhur me 7 milionë lekë të vjetra të ardhura të deklaruara nga gruaja, të cilat janë transferuar në llogari bankare nga nëna e saj.

Po ashtu pikëpyetje janë ngritur edhe lidhur me të ardhurat për blerjen e një makine 7 milionë lekë të vjetra.

Prokurori Ramadan Troci, njihet si urdhëruesi i arrestimit të ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika.

Sakaq Liçaj një ditë para se të dilte para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, ka gjykuar çështjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe tre personave të tjerë.

Kështu Gjykata e Apelit Vlorë vendosi që të prishë vendimin e dënimit të Shpëtim Gjikës dhe të shpallë atë të pafajshëm. Kjo pasi Prokuroria e Vlorës akuzonte ish-kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika në lidhje me akuzat e ndërtimit të një pallati 11-katësh në Vlorë. Po ashtu gjyqtarja e Vlorës, rezultonte pronare e tetë apartamenteve në Tiranë dhe Vlorë si dhe e tetë makinave. /a.y/noa.al

Gjyqtarja e Vlorës i dha pafajësi Shpëtim Gjikës, një ditë para se ti nënshtrohej vetingut