Transmetuar më 15-11-2018, 11:37

Ka nisur edhe sot protesta e banorëve të Unazës së Re, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ata janë mbledhur para Bashkisë së Tiranës, ku sot mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Gjatë protestës së tyre ata kanë hedhur shashka dhe flakadanë, drejt punonjësve të policisë që janë pozicionuar në derën hyrëse të bashkisë, duke krijuar një mjegull tymi. Po ashtu ata kanë qëlluar me vezë edhe drejt dritareve të bashkisë. Situata është tensionuar duke pasur edhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë.

Ata thërrasin se banesat do ti mbrojnë me gjak dhe se nuk heqin dorë nga e drejta e tyre.

Sakaq këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë bojkotuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak në një akt proteste “kundër sjelljes denigruese” sipas tyre, ndaj qytetarëve nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Kryetari i këshilltarëve demokratë Kreshnik Çollaku thotë se asnjë nga këshilltarët nuk do të jetë i pranishëm në sallë, për shkak të sjelljes së paprecedentë të kryetarit bashkisë së Tiranës, fyerjeve raciste dhe përçarëse ndaj banorëve dhe qytetarëve të Tiranës.

Këshilltarët i janë bashkuar deputetëve të opozitës të cilët ndodhen bashkë me banorët e Unazës së Re, të cilët vijojnë protestën përpara Bashkisë së Tiranës, për dëmshpërblimin 100% të pronave të tyre në një projekt që sipas tyre po realizohet në favor të qeverisë dhe lidhjeve korruptive.

Sakaq grupi i LSI thotë se duke mbështetur projektet madhore për zhvillimin e Tiranës, kërkon me vendosmëri që të dëmshpërblehet çdo sakrificë dhe shpenzim ekonomik për çdo banesë, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe të pronës të garantuara nga Kushtetuta, ligjet dhe Konventat Europiane, si edhe të bëhen transparente dhe publike për qytetarët detajet e projektit të Unazës së Madhe.

“Mundi dhe djersa e çdo shqiptari të ndershëm që kanë ndërtuar shtëpitë për familjet dhe fëmijët e tyre, meriton të dëmshpërblehet drejtësisht, pasi të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar në këto 28 vjet duhet të trajtohen dhe të ndihen të barabartë përpara ligjit dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratë.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej afro 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al