Transmetuar më 14-11-2018, 17:12

Për përfaqësuesen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, viti 2019 do të jetë i suksesshem për Shqipërinë sa i përket proceseve integruese.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin Bushati dhe Eurokomisionerin Hahn, Federika Mogerini tha se roli i Shqipërisë është konstruktiv në rajon.

“Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në rajon. Kemi qenë të vendosur për t’i dhënë prioritet operacioneve në fushën e sigurisë.

Marrëveshja mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Europës është strategjia me të cilën po ecin vendet.   Ne do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë për të plotësuar të gjitha kushtet. Ne mbetemi të vendosur që 2019 të jetë vit i suksesshëm për Shqipërinë ashtu sic dëshirojnë qytetarët shqiptarë”, tha zyrtarja e lartë europiane.

Nga ana e tij, ministri Ditmir Bushati vlerësoi reformat e  ndërmarra nga qeveria në kuadër të procesit të integrimit në BE.

“Ka një vlerësim sa i përket ecurisë së reformave, reforma në drejtësi po sjell rezultatet e para. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve po sjell frytet e para duke adresuar edhe mungesën e besimit që qytetarët kishin tek institucionet e drejtësisë, dhe njëkohësisht puna përgatitore që po bëjmë me KE për kapitujt 23 dhe 24 që përqëndrohet tek cështjet e të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës”, tha kreu i diplomacisë shqiptare. /k.k/noa.al/