Transmetuar më 13-11-2018, 20:14

Buxheti i shtetit do të paguajë 253 miliardë lekë ose mbi 2 miliardë euro për kontratat koncesionare dhe ato të partneritetit publik privat që janë miratuar deri më tani.

Top Channel ka përllogaritur angazhimet totale që qeveria ka marrë në buxhet përmes koncesioneve, duke u bazuar tek lista e investimeve publike dhe relacioni i projektbuxhetit 2019 që Ministria e Financave i ka dorëzuar Kuvendit.

Sipas dokumenteve, pjesa më e madhe e faturës vjen nga sektori i transportit. Më konkretisht bëhet fjalë për 5 kontrata, ku bëjnë pjesë mirëmbajtja e rrugës së kombit dhe ndërtimi i 4 rrugëve të reja, që janë Thumanë-Kashar, Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren.

Për të pesë këto koncesione buxheti i shtetit do të paguajë një faturë totale prej 154 miliardë lekë.

Por, veç koncesioneve të transportit, janë edhe 9 kontrata të tjera në fushën e shëndetësisë, menaxhimit të mbetjeve, arsimit dhe kontrollit fiskal, të cilat edhe këto paguhen nga buxheti. Për këto 9 kontrata të partneritetit publik privat, qeveria do të paguajë edhe 99 miliardë lekë të tjera gjatë gjithë jetëgjatësisë së tyre.

Pra, në total janë 253 miliardë lekë ose mbi 2 miliardë euro, të cilat do të paguhen nga buxheti, pa përfshirë koncesionet që qytetarët i paguajnë direkt nga xhepi si rrugët me pagesë, markimi apo kontratat e tjera.

Thuajse e gjitha shuma prej 2 miliardë eurosh do të paguhet brenda 13 viteve të ardhshme, përveç një kontrate e cila ka kohëzgjatje më të madhe.

Pra, mesatarisht janë rreth 155 milionë euro në vit vetëm për kontratat ekzistuese, pa përfshirë ato që mund të jepen në të ardhmen.

Kjo do të thotë se për 13 vitet e ardhshme çdo shqiptar nga 0 deri në 100 vjeç do të paguajë mesatarisht mbi 53 euro çdo vit vetëm për koncesionet e buxhetit, gjithmonë nëse popullsia qëndron kaq sa është tani dhe nuk tkurret më shumë.