Transmetuar më 12-11-2018, 11:11

Banorët protestues të zonës së “Astirit” kundër shembjes së objekteve që preken nga projekti i Unazës së madhe, teksa ndodhen para Bashkisë së Tiranës, kanë qëlluar me vezë drejt saj.

Banorët kanë thënë se nuk do të ndalen me protestën e tyre dhe se do të kërkojnë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi si dhe do të kërkojnë takim në ambasadën amerikane.

Ata janë ulur në rrugën në krahë të Bashkisë, duke bërë bllokimin e saj, ndërkohë që protestës i janë bashkuar edhe deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Klevis Balliu, të cilët u kanë ofruar mbështetje.

Banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen 100% për banesat. Ata kundërshtojnë prishjen e objekteve para legalizimit, në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblim.

“Shtëpitë tona do i mbrojmë me gjak”, kanë paralajmëruar banorët, duke thënë se nuk do i ndalin protestat.

“Erion Veliaj të vijë këtu si burrë, të gjithë këta njerëz nuk i shtyp dot. Kam qenë i PS-së, por jo të më marrësh nusen e djalit të më lindë aty në burg. Ku janë këto Monika, Gramozë? Çfarë bëhet kështu? Ky po na prish shtëpitë dhe po na shkatërron”, tha njëri nga banorët.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Ndërkohë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro pak ditë më parë tha se kanë dalë në terren dhe kanë bërë vlerësimin paraprak.

“Nga ky kontroll na del se në total janë 317 objekte, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi, të cilat do të jenë të skualifikuar, 123 objekte janë me vërtetimi prone. Janë edhe objekte të tjera që nuk ka informacione të detajuara. Për objektet, kemi dy kategori objektesh, me dokumente pronësie dhe në proces legalizimi”, u shpreh ai.

I pyetur se kur do të nisë prishja e objekteve për lirimin e rrugës, ai tha se momentalisht po bëhet evidentimi i tyre dhe në momentin që të merret statusi i duhur nga Hipoteka, do të nisë prishja. /a.y/noa.al