Transmetuar më 12-11-2018, 10:30
Pamje nga protestat e meparshme te banoreve qe preken nga projekti i Unazes se Madhe

Kanë lënë vendin e tyre të përhershëm, zonën e “Astirit” e cila preket nga projekti për tu shembur, për tu vendosur paraditen e sotme para Bashkisë së Tiranës, për të protestuar.

Banorët kanë thënë se nuk do të ndalen me protestën e tyre dhe se do të kërkojnë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi si dhe do të kërkojnë takim në ambasadën amerikane.

Po ashtu ata kërkojnë që të dëmshpërblehen 100% për banesat. Banorët kundërshtojnë prishjen e objekteve para legalizimit, në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblim.

"Shtëpitë tona do i mbrojmë me gjak", kanë paralajmëruar banorët, duke thënë se nuk do i ndalin protestat.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Ndërkohë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro pak ditë më parë tha se kanë dalë në terren dhe kanë bërë vlerësimin paraprak.

“Nga ky kontroll na del se në total janë 317 objekte, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi, të cilat do të jenë të skualifikuar, 123 objekte janë me vërtetimi prone. Janë edhe objekte të tjera që nuk ka informacione të detajuara. Për objektet, kemi dy kategori objektesh, me dokumente pronësie dhe në proces legalizimi”, u shpreh ai.

I pyetur se kur do të nisë prishja e objekteve për lirimin e rrugës, ai tha se momentalisht po bëhet evidentimi i tyre dhe në momentin që të merret statusi i duhur nga Hipoteka, do të nisë prishja. /a.y/noa.al