Transmetuar më 11-11-2018, 10:44
Foto ilustruese

Dhuna në familje e grave ndaj burrave në Zvicër, është një temë që mbetet një tabu e madhe. Janë të paktë ata që kanë guximin dhe forcën për të folur, për dhunën në familje që gratë ushtrojnë ndaj burrave.

Zvicerani Andreas B., 36 vjeç është njëri prej tyre. Në një shkrim të “Blick”, ai ka përshkruar historinë e tij.

Ai ndihej sikur të ishte një bretkosë në një tigan, në të cilin kuzhinieri po e ngrohte ujin me ngadalë. Me këtë përshkrim, Andreas B., krahason vitet e tij të tmerrit.

Ai ishte viktimë e bashkëshortes së tij: “Në fillim të marrëdhënies ajo nevrikosej pse unë nuk isha i gatshëm për tu ballafaquar”. Por, kur para katër vitesh lindi fëmija i parë dhe më vonë edhe i dyti, kërkesat e tepërta të gruas arritën kulmin.

Ajo e rrahu as më pak dhe as më shumë, por mbi njëqind herë: “Shpesh më qëllonte në kokë, ku gungat nuk ishin të dukshme. Ndonjëherë më godiste edhe në fytyrë ose rreth qafës apo kraharorit, deri sa mavijosej”.

Andreas B., turpërohet kur flet për lëndimet e tij që ia shkaktoi bashkëshortja. Por për të më e keqja ishte “Kur ajo më goditi para fëmijëve”.

Asnjëherë nuk i kishte kthyer dorë dhe për këtë thotë se: “Unë e urrej dhunën dhe nuk doja ta ndjeja veten fajtor për diçka”.

Nga frika se gjatë ndarjes do të mund t’i humbiste fëmijët, ai i duroi të gjitha pa u ankuar. Gruaja e tij gjithashtu e kërcënoi se ta çonte në burg, me deklarata të rreme, për shembull, me abuzimin e fëmijëve. Andreas B., shton se, “Ajo ushtronte shumë presion, kështu që çdo gjë shkonte siç donte ajo”.

Ai shpresoi për një kohë të gjatë se situata do të përmirësohej: “E dija se kjo marrëdhënie ishte e dobët. Mendoja se ishte duke vepruar kështu, pasi nuk ishte e kënaqur. Kjo është arsyeja sepse për vite të tëra i kthehesha me përkujdesje ndaj saj dhe fëmijëve. Por asgjë nuk ndryshoi. Ajo më kërcënoi se do të më lërë me fëmijët dhe do të më shkatërrojë financiarisht, deri sa unë të vdes në varfëri”, njofton më tej Albinfo.ch.

Zvicerani, u përpoq shumë për t’i shpëtuar spirales së dhunës: “Fillova t’i fotografoj lëndimet. Pastaj, kur një herë më mbylli brenda, për herë të parë njoftova policinë”.

Në atë periudhë, mosmarrëveshja ishte përshkallëzuar pasi gruaja kishte tërhequr për veshi fëmijën e madh të çiftit. “I thashë që ajo nuk duhet ta prekte me dorë, por ajo më goditi me një shishe uji. Edhe pse e kisha fëmijën në krahët e mi”, tregon burri.

Ndërkohë teksa po afrohej një fundjavë e Pashkëve, “Gjatë të premtes, ajo përsëri më goditi dhe më mbylli brenda”. Kaluan katër ditë ndërhyrje nga shërbimet psikiatrike, policia dhe një bisedë me organet përkatëse për kujdesin ndaj fëmijëve.

Por pavarësisht kësaj Andreas B., u kthye në shtëpi: “Papritmas ajo u largua për një javë pa paralajmërim, për të vazhduar studimet e saj. Unë mbeta vetëm me fëmijët, por isha ende në provë në punë, ndaj dhe e humba ata”.

Vetëm kur ai mori mbështetje nga ndihma për viktimat, bashkë me fëmijët u dërgua në një shtëpi, ku mund të banojë për disa muaj.

“Jam shumë i lumtur që tani pala e tretë mund të gjykojnë se si kujdesem për fëmijët. Sepse kisha frikë nga deklaratat e rreme”, thotë 36-vjeçari.

Pak kohë më vonë, ai gjeti një punë të re dhe një banesë. Sot, Andreas B., punon dhe në kohën e mbetur kujdeset për fëmijët, “Jam duke jetuar në kufijtë e ekzistencës, por jam i kënaqur. Sepse më në fund ndjehem i lirë dhe kam krijuar një ambient shoqëror”.

Ndërkohë, ka nisur edhe një procedurë për të drejtat bashkëshortore. Aktualisht kujdesin ndaj fëmijëve e ndajnë përgjysmë me nënën e fëmijëve: “Megjithatë nuk pajtohem me këtë vendim. Edhe pse ajo ishte e dhunshme dhe vazhdimisht shkelte rregullat e përkujdesit, ajo ka marrë gjysmën e të drejtës për përkujdesin ndaj fëmijëve. Nuk mund ta kuptoj këtë”.

Mirëpo, kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Së shpejti, një gjykatës do të vendosë nëse Andreas B., do të marrë të drejtën e plotë të përkujdesjes ndaj fëmijëve. Ndërkohë ai është i vetëdijshëm, “Kam frikë se mund të humbas çdo gjë dhe kjo më rëndon shumë”.