Transmetuar më 10-11-2018, 08:45

Mes një mjerimi të paimagjinueshëm, në një varfëri të skajshme jeton familja e Vullnet Shabajt në Postribë të Shkodrës, me 7 fëmijë.

Kryeministri Edi Rama teksa ka premtuar se do t’i bëjnë banesë të re, ka nxjerrë videon nga vizita në këtë familje që vetëm shtëpi nuk mund të quhet, pasi c’bie jashtë futet brenda.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama thotë se është befasuar pasi fëmijët e familjes që bëjnë 1 orë për të shkuar në shkollë janë të parët e klasave të tyre dhe me dëftesat gjithë dhjeta.

“Mirëmëngjes dhe me mbresën fantastike të këtyre fëmijëve, që në varfëri të thellë shkëlqejnë në shkollë, ju uroj një fundjavë të qetë”- shkruan Rama.

“Mirë se erdhe, sa shumë të kemi pritur”, kështu e pret mes lotësh më e moshuara e familjes Shabaj, ndërsa Rama i puth asaj duart.

Më tej Rama shprehet se, “Kjo situatë këtu është e rëndë shumë, dhe do e zgjidhim. pasi e meritojnë fëmijët që janë nxënës të shkëlqyer, që nuk justifikohen të thonë se ‘s’kemi ku mësojmë’, apo ‘skam këtë, as atë, s’kemi ku flemë e çfarë hamë, s’kemi s’kemi’…

Siç bëjnë ata që kanë dhe marrin lekët e babait dhe mamit dhe rrinë në kafe’ Do ta rregullojmë këtë punë, do t’ju bëjmë shtëpinë e re. Do ju çojmë me qira diku. Do të gjejmë një mundësi punësimi konstante (i drejtohet babait të fëmijëve)”, tha Rama./b.l/noa.al/