Transmetuar më 09-11-2018, 22:25

“Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte po prezantojnë historinë e dhimbshme dhe dramatike të një të riu, i cili për një dekadë ka qenë i varur nga droga.

Gjithçka nisi 9 vite më parë, me injektimin e dozës së parë të heroinës që e futi në një labirinth pa krye.

Sot Danieli është 34 vjeç, kurioziteti i moshës dhe shoqëria  e shtynë  në një vorbull, nga e cila nuk po del dot më.

Gabimi fatal i ndryshoi jetën tërësisht dhe e përfshiu në një botë të errët, shkatërrimtare e vdekjeprurëse. Dramën e jetës së tij, Danieli e rrëfën me gjysmë zëri ku shprehet se gjithçka nisi me insistimin e shoqërisë që e shtynë të provonte nga kanabis, më pas erdhi heroina.

“E fillova me kanabis, shoqëria ime  me thoshte pi se nuk te bën gjë, rashë viktimë e drogës, po të kërkosh ka”.

Danieli tregon se po përpiqet çdo ditë e më shumë për tu larguar nga droga, e madje po merr edhe trajtimin me metadon . Por dhimbjet që i shkakton heroina fizikisht e psikologjikisht janë më të forta se dëshira e tij për t’iu rikthyer jetës së mëparshme.

Më pëlqente, nuk e dija qe do katandisesha kështu, edhe metadoni ka problemet e veta, ka dhimbje, nuk është kollaj të ndahesh nga heroina pa ndihmë, duhet ndihmë psikologjike. Kam  nevojë për një mundësi, për një punë” shprehet Danieli.

Varësia ndaj heroinës ka bërë që Danieli të shesi të gjitha pajisjet elektroshtëpiake në banesë. Djali tregon se nuk i ka mbetur asgjë përveç disa kolltukëve ku dergjet.

“Nuk kam as televizor as frigorifer, kam marre borxh tek buka, detyrohem te shes diçka nga shtëpia që të ha bukë”.

Është mjaft e trishtueshme ajo që Danieli rrëfën për “Shqiptarët..”. Ai zgjohet i vetëm në banesë “shikoj muret, nuk kam kujt ti them mirëmëngjes, ose të pi kafe më familjen time. Nëna më vdiq kur isha në burg, nuk arrita as ta varrosja”

Danieli rrëfen se e vuan shumë vetminë . Për të riun, bashkëjetesa me drogën është ferri vetë, përpos faktit që duhet të luftojë i vetëm për jetën e tij.

Prindërit e 34-vjeçarit kanë ndërruar jetë, ndërkohë që tregon se i ka shkëputur marrëdhëniet me motrën, vëllain e gjithë të afërmit e tjerë. Shoqëria e tij e vetme janë përdoruesit e heroinës.

“Njerëzit e mi, këta që kam u lodhën me mua, çdo gjë e shkatërroi droga, kam miq  vetëm përdoruesit e drogës” shprehet ai.