Transmetuar më 09-11-2018, 13:21

Presidenti Ilir Meta priti sot në takim ministrin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rustem Berisha.

Ministri Berisha e siguroi Presidentin Meta se me ndryshimet ligjore të fundit për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës nuk realizohet thjesht dhe vetëm ndryshimi i emërtimit por garantohet ndërtimi i një Force multietnike, profesioniste, të mirëpajisur dhe me kapacitete, e aftë për të marrë përgjegjësitë e Kushtetutës së Kosovës, për sovranitetin dhe sigurinë e vendit.

Nga ana e tij Meta shprehu mbështetjen e tij për përpjekjet legjitime të institucioneve të Kosovës për transformimin e FSK në Forca të Armatosura.

Presidenti Meta inkurajoi institucionet dhe aktorët kryesorë të Kosovës për vijimin e dialogut, konsultimeve dhe bashkëpunimit me SHBA, BE, NATO-n dhe vendet e rajonit.

Kreu i shtetit, shprehu besimin se Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, përveç garantimit të sovranitetit të vendit do të kontribuojnë edhe për paqen e stabilitetin e rajonit.

Në fund të takimit Presidenti Meta, vlerësoi përpjekjet e ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve tona për të përmirësuar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, duke realizuar projekte te përbashkëta në emergjencat civile, arsimimin e stërvitjen dhe sigurinë kibernetike. /a.y/noa.al