Transmetuar më 08-11-2018, 10:35

Pamje të rënda vijnë nga familja Kacifas në Bularat të Gjirokastrës, aty ku 35-vjeçari Kostandinos Kacifas, do të përcillet për në banesën e fundit.

I ndjeri është veshur me rroba ushtarake ashtu si dhe u vra, ndërsa arkivoli i tij, është mbuluar me flamurin grek.

Te koka e tij vajton e ëma, e cila për 12 ditë me radhë e qau pa rreshtur, për ta përcjellë sot në banesën e fundit.

Sakaq në pritje të funeralit të Kacifas, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, në Bularat të Gjirokastrës, kanë mbërritur disa autobusë me shtetas grek.

Por mësohet se në pikën kufitare të Kakavijës, nuk janë lejuar së dhjetëra ekstremistë grekë mes tyre edhe anëtarë të Agimit të Artë, të cilët ishin nisur për në ceremoninë mortore të Kacifas.

Gjithçka për shkak se mbanin veshur bluza me shkrime antishqiptare, dhe me synim parandalimin e incidenteve është bërë kthimi i tyre në kufi.

Sakaq policia ka marrë masa që në çdo rast të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm në Bularat.

Ceremonia mortore mbahet pak pas mesditës së sotme në orën 13.00, plotë 12 ditë pas vrasjes së Kostandinos Kacifas.

Në pikën kufitare të Kakavijës kanë kaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, disa autobusë me shtetas grekë, të cilët janë nisur nga Athina, Selaniku, Volosi, Patra dhe Janina, për të marrë pjesë në funeralin e 35-vjeçarit.

Ata janë shprehur se nuk e kishin familjare Kacifas, por se e meriton nderimin, duke e cilësuar heroin e tyre.

Para ceremonisë funerale në nderim të Kacifas, do të mbahet një meshë në kishën e Shën Athanasit, para se viktima të prehet në varrezat e fshatit Bularat.

Ndërkohë bashkia e Dropullit, ka marrë vendim për të mbuluar gjithë shpenzimet e ceremonisë mortore.

Mediat greke kanë paralajmëruar se në funeralin e tij do të mbërrijnë rreth 2000 shtetas grek.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al