Transmetuar më 02-11-2018, 11:54

Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme ecurinë e punimeve kantieret të reja në verilindje të vendit, duke u ndalur në Rrugën e Kombit, ku ndoqi ecurinë e punimeve për urat, mbikalimet dhe rrugët lidhëse me fshatrat.

Në fjalën e rastit Kryeministri Edi Rama tha se finalizimi i kësaj vepre sipas të gjitha standardeve është shumë i rëndësishëm.

Ai deklaroi se u propagandua që u bënë gjëra që nuk u bënë, por se mbetën borxhet.

Tashmë kreu i qeverisë tha se janë larë borxhet, por mbetën kilometra pa u bërë.

Sipas tij, janë bërë një pjesë e madhe, por finalizimi i kësaj vepre është shumë i rëndësishëm, se këtu ishte e gjithë ajo gryka e shishes që krijoheshin aksidente.

“Në këtë aksi krijoheshin situata emergjence dhe ajo që është më e rëndësishmja është që, paralelisht me përfundimin e investimeve për Rrugën e Kombit, ne të kemi tani të gjithë sistemin e sigurisë të krijuar nga pagesa e rrugës. Është gjë e mirë që këtu s’ka asnjë lloj ndjenje pakënaqësie, përkundrazi, ka mirëkuptim të plotë edhe të gjithë kontribuojnë, por, nga ana tjetër, domosdoshmëria është që këtij kontributi qeveria dhe kompania e mirëmbajtjes t’i përgjigjen me maksimumin e korrektesës, me standarde, me siguri, me shërbim perfekt në të gjithë vijën e autostradës”, u shpreh Rama, duke iu referuar edhe tarifës për për kalimin në këtë rrugë.

Nga ana e tij ministri i Transportit Damian Gjiknuri shtoi se edhe tuneli i Kalimashit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë, pasi i gjithë sistemi, ai kundër zjarrit, i kamerave, apo edhe sistemi i ajrimit ishin në rrezik real. /a.y/noa.al