Transmetuar më 01-11-2018, 10:29

Teksa vrasja e minoritarit grek, Kostandinos Kacifas, në Bularat të Gjirokastrës, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ka ngjallur reagime të ashpra mes Shqipërisë dhe Greqisë, ish-ministri i Jashtëm grek, Teodoros Pangalos ka një mendim ndryshe,

Duke folur për televizionin grek ‘Skai’, ai kritikon qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama pas ngjarjes, duke thënë se e bëri për të marrë vota në jug.

“Unë pashë në fotografitë e publikuara se kishte flamuj kudo në fshatra, nuk e kuptoj ketë që thonë se nuk e lejuan të vendosi flamur. Nuk e kuptoj se çfarë deshi Kacifas të shkonte nga Greqia të vendoste flamuj aty. Nuk kishte tjetër kush ta bënte aty?”, shprehet Pangalos.

Ai shkon më tej duke thënë se nuk është pro faqezinjve kur hedhin molotov apo sulmojnë policinë.

“Jam i mendimit se mbi një person që mban një armë dhe qëllon mbi policinë do të veprohej njësoj edhe në SHBA”, deklaron Pangalos.

35-vjeçari Kacifas, mbeti i vrarë gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al