Transmetuar më 01-11-2018, 09:52

Kryeministri Edi Rama thotë se politikat monetare i kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën.

Ai shprehet se, sot në një vend si Shqipëria, ku është ngritur pyetja e integrimit europian, Banka Qendrore është përballë nevojës për ti dhënë një përgjigje adekuate nga ana e vetë kësaj pyetje.

Sipas tij, ajo që mund të thuhet është se Banka e Shqipërisë është një ndër ato institucione, ndoshta i vetmi, që rrezaton qëndrueshmëri konstante në gjithë periudhën e ekzistencës së vetë pas rënies së komunizmit.

“Banka e Shqipërisë ka bërë punë të lavdërueshme për të përballur pasoja në momente të caktuara dramatike dhe ka pasur një rol, jashtëzakonisht pozitiv edhe në përballjen me periudhën pas krizës, duke qenë në vijimësi një pikë referimi për të gjithë. Besoj se është i vetmi institucion në këtë vend që nuk është anatemuar nga njëra palë për llogari të kacafytjes me palën tjetër. Besoj që kjo mjafton edh e vetme për ta përcaktuar si një qendër të rëndësishme graviteti, gjë që pa diskutim është meritë e ekipit, drejtimit, bordit dhe guvernatorëve njëri pas tjetrit”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se Banka e Shqipërisë është një trashëgimi e çmuar dhe që sa herë që të kërkohet, është detyrimi që të mbrohet dhe të pasurohet më tutje.

Më tej deklaroi se nga 24% që u gjeten kreditë e këqija në vitin 2013, sot niveli i tyre është 13%.

Deklarata e Kryeministrit u bë paraditen e sotme, në konferencën vjetore “Politika monetare, integrimi ekonomik dhe normaliteti i ri”. /a.y/noa.al