Transmetuar më 01-11-2018, 08:36

Sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”.

Ky nivel është më i larti në rajon edhe në krahasim me Serbinë, që ka nivele taksash të ngjashme me ne. Bizneset serbe paguajnë  taksa e kontribute sa 36.6% të fitimeve.

Maqedonia është shteti që ka barrën më të ulët të taksave për bizneset, me vetëm 13.3% të fitimeve (Bizneset në Maqedoni paguajnë vetëm tatim fitimin dhe taksat bashkiake). Më pas renditet Kosova, që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22% dhe Bosnja me 23.7%.

Bizneset shqiptare paguajnë më shumë taksa e kontribute në raport me fitimet sesa mesatarja e Azisë dhe Europës Qendrore (32.3%) dhe në nivele të krahasueshme me vendet me të ardhura të larta të OECD (39.8%).

Taksat

Shqipëria dhe Serbia kanë normën më të lartë të tatim fitimit në rajon me 15%. Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë tatim fitimin 10% dhe Mali i Zi e ka 9%.

Shqipëria dhe Serbia kanë gjithashtu kontributet më të larta të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëmarrësi, me përkatësisht 15 dhe 17.9%. Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi nuk e rëndojnë punëmarrësin me kontribute, por ato paguhen tërësisht nga punëdhënësi dhe kjo është një nga arsyet pse bizneset e tyre rezultojnë që paguajnë pak taksa e kontribute në raport me fitimet. Ndërsa Kosova e ka të ndarë, por në nivele shumë të ulëta, 5% i paguan punëmarrësi dhe 5% punëdhënësi).

TVSH, që është në fakt një taksë që nuk paguhet nga bizneset, por mblidhet përmes tyre nga konsumatorët, është sërish më e larta në Shqipëri dhe Serbi, me 20%. TVSH-ja më e ulët është në Bosnjë, me 17%, shkruan ‘monitor’.

Ndonëse Shqipëria dhe Serbia kanë nivele të ngjashme taksash, vendi ynë mbledh të ardhura buxhetore vetëm në nivelin e rreth 27-28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulëti në rajon përveç Kosovës dhe ndër më të ulëtit në Europë, ndërsa në Serbi, buxheti arrin të sigurojë të ardhura sa 40% e PBB-së, shumë më të larta sesa tek ne.