Transmetuar më 29-10-2018, 18:45

Në një intervistë ekskluzive për revistën franceze “France Football” që është edhe krijuesja e Topit të Artë, ylli portugez ka treguar për herë të parë arsyet e largimit të tij nga Reali i Madridit. Fajtori kryesor i largimit të CR7-ës nga Los Blancos ka qenë presidenti Florentino Perez.

“E ndjeva ftohjen nga brenda klubit,veçanërisht nga presidenti, se nuk më konsideronin me të njëjtën mënyrë, sikurse bënë në fillim. Në katër apo pesë vitet e para atje, kisha ndjenjën se jam “Cristiano Ronaldo”. Më pas gjërat ndryshuan disi, pak e nga pak. Presidenti nuk më vështronte në sy, sikur nuk isha më i domosdoshëm për ta. Besoj e kuptoni se çfarë dua të them me këtë. Kjo situatë më bëri të mendoj largimin”, u shpreh CR7.

Ndërsa i pyetur përse zgjodhi Juventusin dhe jo klub tjetër, edhe në këtë rast Ronaldo ka patur arsyet e tij, pasi te bardhezinjtë është ndierë i vlerësuar që në momentin e parë.

“Nëse do të kishte qenë në lidhje me paratë, do të shkoja në Kinë, ku do të kisha fituar pesë herë më shumë se këtu, te Juventusi, ose te Real Madridi. Unë nuk kalova te Juve për paratë. Kam fituar të njëjtën shumë edhe në Madrid, madje dhe më shumë. Dallimi është se, te Juve, me të vërtetë më donin mua. Ata ma thanë dhe ma bënë të qartë këtë”.