Transmetuar më 25-10-2018, 14:18

Kryeministri Edi Rama thotë se pronarët e kompanisë së basteve janë të skeduar për trafik droge dhe krime nga më të rënda, që s’kanë të bëjnë aspak me mbarëvajtjen e shoqërisë.

Duke folur sot në Kuvend, ku pritet miratimi i ligjit për mbylljen e lojërave të fatit brenda 31 dhjetorit, ai tha se është e pavërtetë ajo çka është trumbetuar me të madhe nga të katërta anët se pas zhvillimit të operacionit “Fundi i marrëzisë”, marrëzia është zhvilluar ende më në kuptimin e marrjes së përmasave më të mëdha.

“E kundërta është e vërtetë, që 5 mijë pika të paligjshme operonin asokohe dhe qindra sallone të paligjshme dhe qindra e qindra miliona lëviznin asokohe, jashtë gjithë kanaleve të rregullit dhe ligjit. Ajo që ne bëjmë sot është kundërpërgjigja e duhur në emër të një shoqërie të prekur nga kjo sëmundje dhe që ka përhapur një kancer total në gjithë terrorin, për shkak se ka qenë jashtë kontrollit të duarve të vetme që e garantojnë këtë veprimtari, që janë duar e e shtetit ekskluzivisht”, u shpreh Rama.

Ai tha se gradualisht u krijua bindja se edhe bastet duhet të mbylleshin dhe se kjo veprimtari duhet të merrte fund njëherë e mirë.

Sipas tij 68% e lojtarëve aktiv në baste, e kanë nisur lojën nga 10-15 vjeç, çka siç tha ai mjafton për të treguar se asnjë arsye nuk mund ta mbante, përveç marrëzisë, opozitën, jashtë sallës së Kuvendit.

Rama e cilësoi si një vendim që ka dobi për të mbrojtur fëmijët, familjen, ekonominë dhe për të goditur krimin në një nga vatrat e veta më aktive dhe për të tharë një nga burimet më të fuqishme të financimit të krimit të organizuar.

Ai tha se 73% e lojtarëve të fatit pohojnë se përjetojnë stres dhe situata nervozizmi që i nxjerrin jashtë kontrollit dhe se mbylljen e lojërave të fatit e mbështesin mbi 70% e popullsisë dhe 92% e grave shqiptare.

Rama deklaroi se pikat e basteve në qytete të vogla, kanë klientë anëtarë të familjeve me ndihmë ekonomike, ku siç tha ai ndihma ekonomike hidhet në bixhoz dhe në këtë drejtim shtoi se ndihma ekonomike do merret nga gratë dhe do çohet në shtëpi.

Ai shtoi se në ligj duhet garantuar se pas mundësisë së dytë për punë të refuzuar, humbet ndihma ekonomike dhe nuk mund të regjistrohesh si punëkërkues muajin e ardhshëm, por vitin e ardhshëm.

Kreu i qeverisë deklaroi se ky vendim shkon përtej dallimeve politike. /a.y/noa.al