Transmetuar më 23-10-2018, 18:53

UEFA Champions League rikthehet këtë të martë me raundin e tretë të ndeshjeve në grupet E,F,G dhe H. Spikat padiskutim supersfida e Old Trafford mes Manchester United dhe Juventusit.

Në teatrin e ëndrrave, luhet për kreun e grupit H. Cristiano Ronaldo do të sfidojë sërish skuadrën ku u bë i famshëm si futbollist këtë herë me një tjetër fanellë mbi shpinë.

United ka dy pikë më pak se bardhezinjtë dhe nëse Djajtë e Kuq duan të ngjiten në krye të grupit duhet të fitojnë me çdo kusht sot.

Alexis Sanchez dhe Marcos Rojo dhe portugezi i talentuar Dalot janë tre mungesat e sigurta të Djajëve të Kuq në këtë sfidë.

Edhe Juvja ka probleme me dëmtimet pasi Mario Mandzukic, Sami Khedira e Emre Can nuk do të jenë pjesë e kësaj supersfide.

Në grupin G, Reali i Madridit pret në shtëpi Viktoria Plzen në një ndeshje ku Los Blancos duhet të bëjnë kthesën për të larguar disi krizën që i ka përfshirë.