Transmetuar më 22-10-2018, 20:16

RENEA dhe forca të tjera të Policisë së Shtetit, edhe këtë mbrëmje kanë blinduar Shijakun, në kërkim të personave që ushtrojnë aktivitet kriminal.

Mësohet se janë kontrolluar disa banesa dhe biznese, por ende nuk ka të dhëna për të arrestuar.

Një natë më parë, në Shijak u ndaluan tre vëllezër që akuzohen për trafik droge.

Forcat policore, RENEA, FNSH, ato operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë.

Gjatë këtij mega operacioni janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim.

Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Në kërkim janë shpallur edhe Klement Balili dhe Lulzim Berisha. /k.k/noa.al/