Transmetuar më 22-10-2018, 12:45
Arben Cuko

Një arrestim i bujshëm ai i bërë këtë të diel, ku u vu në pranga ish-deputeti socialist Arben Çuko, i cili deri para pak kohësh mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Ai u arrestua për korrupsion, në institucionin që ka drejtuar. Çuko akuzohet se u merrte para të burgosurve, për transferim ose për leje, ndërsa emri i tij doli në përgjimet që po i bëhej një grupi kriminal, i cili po hetohet për trafik droge.

Nga hetimet e kryera dyshohet se Çuko u merrte të burgosurve nga 1500 deri në 3 mijë euro, në varësi të kërkesave që kishin për leje apo transferim.

Arben Çuko, mori detyrën e drejtorit të Burgjeve në vjeshtë të vitit të kaluar, pak pasi dorëzoi mandatin e deputetit.

Ndërkohë ai u shkarkua nga detyra në fillim të muajit shtator.

Në urdhrin e shkarkimit u tha se, “Largohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, z.Arben Çuko dhe në vend të tij emërohet z.Stefan Çipa. Ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve”. /a.y/noa.al

Arrestohen dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko

Arrestohet ish-drejtori i Burgjeve Arben Çuko, akuzohet për korrupsion