Transmetuar më 22-10-2018, 11:40

Në një konferencë të posaçme për mediat, kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela dha informacion lidhur me goditjet e grupeve kriminale gjatë ditëve të fundit.

Mes tyre ajo foli edhe për arrestimin e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.

Prela tha se është konkluduar se një grup personash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal në bashkërendim me grupe të tjera kriminale kanë kryer vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave, formularëve të kryera në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

“Ndaj janë nxjerrë masa sigurimi “arrest me burg” ndaj Gjelin Ndoka, Arben Ndoka, Vlash Gazuli, Zef Ndoka, Zef Lazi, Lule Zeneli, Marjeta Perskura, Edi Ndokaj, Vasil Nika, Kol Lleshi, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni. Janë shpallur në kërkim dhe katër të tjerë. Këta persona janë të përfshirë si në aktivitetin kriminal të përfitimit, falsifikimit ashtu edhe punonjës të zyrave shtetërore, noterë publikë”, u shpreh Prela.

Sipas saj, ka të dhëna për veprime të kundraligjshme dhe korrupsion në disa institucione të vendit për të cilat po vijojnë hetimet në vijimësi.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka u arrestua gjatë kësaj të diele. Mësohet se prangosja e tij është bërë pas përgjimeve të një grupi kriminal, ndërsa edhe vetë ish-deputeti ishte nën përgjim.

46-vjeçari u arrestua nën akuzën e veprave penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorimi i tokës”, i dyshuar si i lidhur me një grup kriminal që merrej me tjetërsim tokash dhe pronash.

Ndoka, akuzohet se bashkë me disa zyrtarë të tjerë, kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te “Rana e hedhun” dhe në zonën e Kunes, ku nga ranore i kthenin në arë, për t’ua kaluar të afërmve të tyre. /a.y/noa.al

Arrestimi i ish-deputetit Ndoka, çfarë zbuluan përgjimet

Arrestohen dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko

Shoqërohet në Polici edhe ish-deputeti socialist, Arben Ndoka