Transmetuar më 14-10-2018, 20:02

Flasin dr. Smeesters Dirk i "Erasmus University", dr. Naomi Mandel i "Universitetit të Arizonës" dhe dr. Thomas Mussveiler i Universitetit të Këlnit në Gjermani

(NOA) – Je ulur në divan dhe shikon televizor.

Nis një film dhe menjëherë përballesh me një djalë të bëshëm, muskulor, bukurosh, i gjatë dhe elegant në pamje dhe me veshje provokuese.

Pak çaste më vonë i afrohet një bukuroshe, vajzë plot hir, veshur bukur, por veshje nga ato që zor se i blen shumëkush nga ne.

Me një pamje që krijon siguri dhe në ecje, ajo rend drejt krahëve të tij.

Të tilla episode i shohim rëndom në filma, seriale, telenovela.

Ca më shumë në reklama.

Lëre pastaj kur hyjmë në internet e lundrojmë në rrjete sociale.

Bombardohemi pafund me imazhe meshkujsh e femrash që nuk kanë asnjë lidhje me pamjen e zakonshme, mbipeshën apo cene të ndryshme në fytyrë a trup.

Të gjitha këto, na bëjnë të përçmojmë veten.

Te të gjithë jo, por te një pjesë e mirë po, përfshirë shumë prej jush që po lexoni këtë raport.

Dukuria është shumë e përhapur në të gjithë botën, aq sa ka detyruar shkencëtarët ta përfshijnë në studime të posaçme.

Në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua një studim special për dukurinë e ndikimit të madh të medias te ne njerëzit duke na shkaktuar komplekse dhe ndjenjën e inferioritetit.

Studimi u krye nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë të drejtuar nga dr. Smeesters Dirk i "Erasmus University", dr. Naomi Mandel i "Universitetit të Arizonës" dhe dr. Thomas Mussveiler i Universitetit të Këlnit në Gjermani.

Ata evidentojnë në studimin e përditësuar se, gjëja më kryesore që ka lidhje me paraqitjen tonë, është ajo e të ndjerit mirë me veten, pavarësisht asaj që dukemi dhe formave që kemi.

E kjo sigurisht që është e vërtetë.

Por problemi vjen kur jemi të bombarduar nga të gjitha anët me "modelet" e jetës që janë propozuar si objektiva për t’u arritur, si të jemi të bukur, të shëndetshëm, elegantë… dhe kështu me radhë.

Ky hulumtim jep njohuri të rëndësishme se si media ndikon tek vetëbesimi i grave dhe rritja e nivelit të stresit, madje edhe depresionit në jetën e tyre.

Studiuesit evidentojnë në raportin e tyre, se besimi tek vetja apo pëlqyeshmëria e grave dhe vajzave që janë mbipeshë, bie nga imazhet e përhapura kudo ku spikatin dhe komplimentohen vetëm ato femra që janë më së paku me peshë normale, madje edhe të dobëta fare.

E gjithë kjo, sipas kërkuesve në këtë studim, ndodh në tre mënyra të ndryshme në varësi të faktit nëse femra është e peshës normale, nënpeshë apo mbipeshë. Gjithmonë ndodh që kur ato shohin imazhet e femrave të tjera, ndihen të ndryshme, madje edhe në faj, e për këtë fajësojnë mediat apo botën e modës, e cila i paragjykon, duke i privuar nga dëshira për të qenë në raporte të mira me shëndetin që ato gëzojnë.

Për shembull, një femër rreth 20 vjeçe që është ende në universitet, e zë belaja teksa sheh një reklamë ku tundet e shkundet një bukuroshe mesatare me trup ‘bishe’ dhe rroba elegante e menjëherë më pas hedh sytë nga vetja ku sheh ca nga ato 10-15 kilet e tepërta që ka në trup dhe kthen vështrimin nga gardëroba që i duket mjaft ‘e lodhur’ krahasuar me veshjen që i pa vajzës së ekranit.

Studimi pohon se imazhet në media ndikojnë gjithashtu në mënyrën e të ushqyerit dhe detyron femrat që të nisin dieta dhe përpjekje për t’ia dalë edhe ato, si bukuroshet e ekranit.

Nga kjo anë, media e ka këtë të mirë, nxit për t’u përmirësuar.

Por ana tjetër e medaljes është e qartë: Ndjenja e inferioriteti është e pashmangshme.

Këshilla në këtë rast? Shumë e thjeshtë: Duaj më shumë veten tënde, besoji më pak makijazhit dhe fotoshopit! /noa.al/