Transmetuar më 12-10-2018, 18:12

Një rast tipik i ‘Duble jeopardy’, është shënuar në Greqi, pasi gjykata atje ka dënuar një shqiptar, për të njëjtin krim për të cilin është dënuar në Shqipëri.

Bëhet fjalë për një emigrant shqiptar 39-vjeçar i cili është arrestuar në Greqi, u përball me një kalvar gjyqësor të radhës, i cili përfundoi me dënimin e tij me burgim të përjetshëm pa të drejtë apelimi.

Por shqiptari 39-vjeçar, ankohet duke thënë se për krimin që ka kryer në 12 shtator 2001 në Greqi, ai është dënuar me 15 vjet heqje lirie nga gjykata në Shqipëri dhe vuajti izolimin me burg në qelitë shqiptare.

Shqiptari 39-vjeçar u gjykua në një proces penal në gjykatën e Volos në Greqi dhe këto ditë u shpall vendimi për të, raporton noa.al.

Ai u mor i pandehur sepse më 12 shtator 2001, kur ishte 22 vjeç, kishte vrarë një djalë 32-vjeçar në Damasi të rajonit Tiranvo të Greqisë.

Pas krimit, i riu ishte larguar nga Greqia.

Por në Shqipëri, ai ishte gjykuar për vrasjen e Greqisë madje ishte dënuar me 15 vjet burgim, duke vuajtur disa vite në burgjet shqiptare. Në seancat gjyqësore kundër tij, 39-vjeçari tha se ishte penduar për vrasjen e të riut 17 vjet më parë.

Ai shtoi se nuk arrinte dot të mbante mend asgjë për atë që kishte ndodhur dhe si erdhi deri në vrasje, kurse theksoi se ndërkohë kishte kaluar plot vite burgjeve shqiptare, pasi ishte dënuar për të njëjtin krim, edhe në Shqipëri.

Kryetari i gjykatës së Volos, pasi e dëgjoi të pandehurin, risolli në vëmendje ngjarjen e ndodhur.

Ai tha se në vitin 2001, shtatë persona goditën deri në vdekje 32-vjeçarin, duke komentuar më tej: ‘Edhe qen të ishte, të tilla goditje të tmerrshme nuk do t’i kishte marrë nga dora e njeriut’.

Avokati i caktuar nga gjykata për 39-vjeçarin, kërkoi lehtësira për klientin e tij, duke evidentuar faktin se për të njëjtin krim ishte dënuar dhe kishte vuajtur burgimin edhe në Shqipëri.

Megjithatë, kreu i gjykatës që drejtonte dhe këtë proces, shmangu kërkesat dhe e dënoi emigrantin shqiptar

Çfarë ndodhi më 12 shtator 2001

Nëntë persona, përfshirë 39-vjeçarin që u dënua sërish, shkuan në Damasi dhe futën në mes 32-vjeçarin pasi ai kishte krijuar lidhje intime me një nga të nëntë.

E qëlluan me grusht e shkelma si dhe me sende të forta derisa i morën jetën. Më pas e hodhën trupin në një kanal dhe u zhdukën.

Policia gjeti në vendngjarje një varëse floriri si dhe pjesë të një rripi pantallonash që i përkiste 39-vjeçarit.

Nga nëntë persona që ishin në vendin e krimit, shtatë morën dënime të ndryshme kurse dy të tjerët u konsideruan të pafajshëm. Si u arrestua

Pasi vuajti rreth 12 vite burgim, i riu shqiptar vendosi t’i rikthehet jetës normale.

Ai në vitin 2014, bashkë me familjen e tij u larguan nga Shqipëria dhe shkuan në Greqi.

Ky ishte rikthim i tij në vendin ku kishte ndodhur krimi i shëmtuar.

Familjarisht u vendosën në Serres ku jetuan për afro katër vjet.

Më 19 qershor 2018, 39-vjeçari shkon në policinë lokale për të dorëzuar dokumentet që të marrë leje qëndrimi.

Por një mandat kërkimi lëshuar që atëherë nga policia e Larisa, bëri që shqiptari të arrestohet dhe çohet para gjykatës e cila e dënoi edhe një herë për të njëjtin krim, por këtë radhë me burgim të përjetshëm pa të drejtë zbutje dënimi. /a.b/noa.al/