Transmetuar më 11-10-2018, 17:25

Një konflikt për motive të dobëta u shndërrua në një masakër në Mat. Pak orë pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në fshatin Shellë të Matit ka ndërruar jetë një nga të plagosurit duke e çuar në dy numrin e viktimave.

Mësohet se Erzen Alija nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën gjatë transportit për në spitalin e Traumës ku po dërgohej për mjekim më të specializuar.

E gjithë ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:00, në një lokal në fshatin Shëlli. Nga të shtënat gjeti vdekjen  e menjëhershme shtetasi Mentor Hoxha, ndërsa të plagosur mbetën shtetasit Astrit Hani, Hamit Buçi dhe Erzen Alija, ku ky i fundit ndërroi jetë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë H. Buçi është dërguar në drejtim të Tiranës për ndihmë më të specializuar, ndërsa Astrit Hani po merr mjekim në spitalin e Burrelit.

Autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si shtetasi Kujtim Koxha 51 vjeç, i cili u arrestua rreth një orë larg vendngjarjes, në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie.

Sipas policisë, 51 vjeçari "pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri drejt disa personave, në një lokal". Nga veprimet paraprake rezulton se këta persona po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat.

Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre në lokal.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e zjarrit. Është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, të cilët po hetojnë këtë ngjarje./b.l/noa.al/

Vrasja në Mat me një të vdekur dhe tre të plagosur, në pranga autori i dyshuar

Vrasja e punonjësit të bashkisë në Mat dhe plagosja e tre të tjerëve, policia zbardh ngjarjen

Vrasje në krye të detyrës, punonjës të bashkisë Mat qëllohen me bukë në gojë