Transmetuar më 08-10-2018, 17:47

Dialogu me Serbinë nuk ka vdekur, madje është në një fazë të rëndësishme. Ka qenë kjo përgjigjia e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ndaj Kryeministrit Haradinaj, i cili pak ditë më parë tha se çështja e korrigjimit të kufijve ka vdekur.

Në një konferencë për shtyp, qytetari i parë i Kosovës deklaroi se ka pritur nga Haradinaj të jetë më i përgjegjshëm, pasi një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra.

“Është deklaratë interesante nga Kryeministri, kam pritur nga ai të jetë më racional dhe i përgjegjshëm, një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra”, tha kreu i shtetit.

Presidenti Thaçi njoftoi që sapo ka përfunduar një takim me udhëheqësit e organeve të drejtësisë së Kosovës.

“Sundimi i ligjit ka qenë dhe do të jetë prioritet i yni. Kemi shënuar progres në këtë aspekt ka një rëndësi të veçantë dhe imediate për shkak të liberalizimit të vizave”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, në këtë takim një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe çështjes së veteranëve. /k.k/noa.al/