Transmetuar më 01-10-2018, 12:00

Në qoftë se shtëpia është përfshirë nga flakët dhe ne nuk i zgjojmë fëmijët sepse na vjen keq t’u prishim gjumin, a është kjo dashuri? Fëmijë, Shqipëria është në flakë, zgjohuni!

Nga Adem Harxhi

Dhuna në familje, veçanërisht, kundër grave është bërë një fenomen masiv. Vrasjet brenda familjes për motive të “dobëta” janë bërë ulëritëse. Por, mjaft me retorikë. Ç’janë këto “show e tell” të vogla e të mërzitshme të politikanëve dhe drejtuesve të OJQ-ve?

U lodhën duke folur për dhunë në familje, por, pa rezultat. Kërkojnë që policia të ruajë gratë prej burrave dhunues në dhomën e gjumit. Kjo është propagandë jo efektive. Rreth dy vite më parë, në kapakun e “Time Magazine” ishte një fotografi e përçudnuar me një histori, që autorët e konsideronin të tmerrshme. Fotografia ishte e një vajze tetëmbëdhjetë vjeçare nga Afganistani, Bibi Aisha, e cila u largua nga burri i saj abuziv dhe nga familja e saj, gjithashtu, abuzive. Disa ditë më vonë, Talibanët e gjetën vajzën dhe e tërhoqën zvarrë deri në një pllajë mali, e cilësuan fajtore sepse kishte shkelur Ligjet e Sheriatit. Dënimi i saj u bë i menjëhershëm. Ajo u mbajt në tokë nga katër “trima”, ndërkohë, që burri i saj i priste veshët dhe pastaj i preu dhe hundën. Kjo vajzë ishte armiku!

A është ky rast më i rëndë nga rastet e disa grave shqiptare, që për të tilla arsye, burrat u kanë marrë jetën me thika, me armë zjarri, me sopata e sqeparë kokës, madje, edhe në sy të fëmijëve.

Në qoftë se asgjë tjetër nuk na luan vendit, në qoftë se asgjë tjetër nuk na i mbush mendjen, le të jetë jeta e këputur në mes e këtyre grave, ashtu si fytyra e mutiluar e Bibi Aishas, fytyra e dhunuesve të grave. Le të jetë vdekja e tyre arsyeja që të shkunden edhe ata që ndjehen më të vetëkënaqurit midis nesh. Në kryqëzatën e shenjtë kundër kësaj të keqeje ultimative, fotografia e Xhensilës nga Kruja, ashtu si fotografia e shpërfytyruar e Bibi Aishas nga Afganistani, dhe fotografitë e gjithë grave shqiptare që burrat u morën jetën mizorisht, duhet të shfaqet në billboardet përgjatë çdo autostrade. Fotografitë e tyre duhet të vendoset në çdo mur nëpër sallonet luksoze, ku zien retorika për të mbrojtur gratë shqiptare të dhunuara e të masakruara. Në çdo rrjet, në çdo ndërprerje publicitare, fytyra e këtyre grave dhe e Bibi Aishas duhet të shfaqet me diçiturën “Egërsirat e bënë këtë” dhe nën të të shtohet- kjo reklamë u lejua nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ralph Waldo Emerson ka thënë:“Prekja morale, është pika e fundit që e mbush detin”.

Sot, miqtë e mi, deti ynë, mjerisht, është jashtë balancës dhe ne mund të mbytemi lehtësisht në myopinë tonë morale dhe në inkorektesën politike të adhuruar.

Njerëzimi është i aftë të dërgojë raketa nëpër galaksitë e largëta Njerëzit zbulojmë copëza të materies që do ta çudisnin Einsteinin. Krijohen kompjutera që rivalizojnë me mendjen njerëzore. Kemi teknologji që i tejkalojnë skenat fiction. Çdo gjë që e imagjinojmë, me shpejtësi të çuditshme e bëjmë realitet. Nëse ëndërrojmë diçka, ne e realizojmë atë dhe vërtet ajo do bëhet. E megjithatë, ne jemi akoma, në një pikë kritike të historisë së këtij planeti, që mund të na çojë prapa në guvat e një kulture, që do ta bënte të skuqej nga turpi edhe Neanderthalin.

Nëse dikush do të mendojë se kam qenë shumë i vrazhdë në këto që thashë, nuk do t’i kërkoj ndjesë për shqetësimin, por do ta pyes: “Në qoftë se shtëpia është përfshirë nga flakët dhe ne nuk i zgjojmë fëmijët sepse na vjen keq t’u prishim gjumin, a është kjo dashuri? Fëmijë, Shqipëria është në flakë, zgjohuni!”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët trima, djemtë dhe vajzat e këtij populli, nuk e injoruan makinën demoniake të luftës dhe as frymën e ndyrë të të keqit. Ata me qartësi, kurajë, vizion, determinim dhe sakrifica fituan. Sot është dita jonë e çmuar, është radha jonë. Ne duhet të guxojmë dhe të mos tërhiqemi në banalitetin e rutinës. Nuk duhet të qëndrojmë para televizorit, të dëgjojmë lajmet kryesore plot tmerre dhe të shikojmë një tufë zonjash që kanë dalë nga faqet e revistave të modës të protestojnë kundër dhunës ndaj grave. Kjo do të thotë të tallesh me gratë e dhunuara.

Demokracia jo gjithnjë fiton. Tirania jo gjithnjë humbet.

Miq, vendi është në flakë, duhet të zgjohemi.