Transmetuar më 25-09-2018, 15:24

Partia Demokratike akuzoi sot ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin se me metoda mafioze kanë mbyllur hetimet për vëllain e ministrit Xhafaj.

Në një dalje të posaçme për mediat, deputeti Flamur Noka tha se “Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama janë drejtpërdrejtë të përfshirë në një komplot shtetëror për të mbyllur me metoda mafioze skandalin e vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm”.

Duke publikuar një sekuencë të intervistës televizive që ministri Xhafaj dha një ditë më parë, Noka deklaroi se kjo që thotë ministri “është pjesë e skenarit mafioz për t’i imponuar prokurorisë një rezultat hetimor të paracaktuar”.

“Është tjetër gjë të provosh është apo s’është (i vërtetë përgjimi) dhe tjetër gjë të provosh kush dhe përse e ka bërë këtë gjë. Dhe unë kam provat e mia. Kam faktet e mia,  padyshim”, ka thënë Xhafaj në emision.

Në deklaratën për mediat, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha se me veprime të tilla kriminale, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë dhe manipulimit të së vërtetës, dhe nëse ka prova, Ministri i Brendshëm duhet t’i kishte çuar në Prokurori.

Noka përfundon duke thënë se “propozimi i Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve është zgjidhja më e mirë për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin. /k.k/noa.al/