Transmetuar më 25-09-2018, 14:46

Partia Socialiste akuzon kryedemokratin Lulzim Basha se kunati i tij zotëron gjashtë kompani por se ju shmanget taksave.

Deputetja socialiste Klotilda Bushka, në një dalje për mediat ditën e sotme tha se kunati i Bashës, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”.

“A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2.2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra. Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, “deklarojnë” se u mbeten në xhep po aq sa fitojnë shumë biznese të vogla qe kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%. Por, mashtrimi me taksat është halli më i vogël që ka Luli dhe familjarët e tij”, u shpreh Bushka.

Deputetja socialiste shtoi se të gjitha këto para që siguron kjo “perandori” konsulence janë siguruar direkt duke punuar ekskluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobëvënie ndaj biznesit janë vendosur në “listën e zezë” të Lulit.

Ajo pyeti se si ka mundësi që ndërsa Basha përbetohet se do të pastrojë vendin nga “oligarkët”, kunati, gruaja dhe e gjithë familja e tij pasurohen përditë e më shumë duke punuar me të njëjtët persona.

Po ashtu tha se shumë nga biznesmenët, të cilët kryedemokrati i ka grupuar bashkë në listën e tij të zezë, prej vitesh derdhin para direkt në xhepat e familjes së tij, përmes kontratave që kanë me kompanitë e kunatit.

Ajo pyet se pse ka dy standarde dhe pse sipas saj, Basha nga njëra anë mbush xhepat dhe nga ana tjetër del me shpatë në dorë kundër biznesit.

“A mos vallë fushata e nisur nga kryetari i opozitës, ndaj të njëjtëve persona që e kanë ndihmuar të pasurohet, është një fushatë gjobëvënie, përmes të cilës Basha pretendon të blejë heshtjen e bizneseve? A mos vallë Lulzim Basha po bën pikërisht atë për të cilën akuzohet brenda PD: Sulme nominale mbi biznesin për të vjelur taksën e heshtjes së tyre! A mos vallë ky persekutim, stil sipas vitit 46, kundër kulakëve të anatemuar sot si oligarkë, eshte një sulm me maska politike i opozitës së bashkuar për të detyruar bizneset të paguajnë? Apo mos vallë kunati i Lulzim Bashes kërkon më shumë prej tyre, nga sa merr rregullisht, dhe për këtë përdor altoparlantin e Partisë Demokratike?!”, tha ndër të tjera Bushka.

Ajo deklaroi se Partia Socialiste nuk mund të qëndrojë në heshtje, kur dëgjon këtë “persekutim” të çmendur të denjë për vitin 1946, kundër kulakëve të anatemuar sot si oligarkë dhe se asnjë qytetar i zakonshëm i këtij vendi, që synon të pasurohet përmes punës së tij të ndershme, nuk mund të pranojë këtë sulm me maska të opozitës, që synon të bëjë bizneset të paguajnë në xhepat e tyre.

Në këtë linjë vijoi duke thënë se të gjithë e dinë që kjo ishte një praktikë e zakonshme pune në kohën e qeverisë së PD apo në kohën e kryebashkiakut të fjetur të Tiranës.

Në mbyllje të fjalës së saj, Klotilda Bushka deklaroi se koha e përçudnimit të çdo personi që guxonte të bënte para jashtë pushtetit, koha e shkeljes me këmbë të sipërmarrjes në këtë vend ka marrë fund një herë e përgjithmonë. /a.y/noa.al