Transmetuar më 24-09-2018, 12:08

Kryeministri Edi Rama reagon ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili prezantoi masat antimafia për çlirimin e ekonomisë nga korrupsioni dhe oligarkia.

Rama thotë se sot paradite Shqipëria u listua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit.

“Ne do të kemi sukses në këtë operacion, pikërisht sepse ekonomia, financat e qeverisja jonë, janë krejt e kundërta e atyre që thotë pasqyra e dëshpërimit të opozitës sonë rrugëhumbur”, shkruan Rama.

Sakaq në aktivitetin e sotëm, Basha shprehu vendosmërinë për të ndjekur rrugën ligjore dhe institucionale për të ndërprerë mandatet e politikanëve të lidhur me krimin.

“Lidhja mes krimit dhe politikës ka avancuar si një kancer në ekonominë shqiptare. Kuvendi është kthyer në institucionin që ligjëron pastrimin e parave përmes bixhozit. Kapja totale e shtetit, kriminalizimi total i vendimmarrjes dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe konkurrencës së lirë me përqendrimin e pasurive në pak duar, në ata që njihen oligarkë, shkatërrojnë konkurrencën e tregut”, u shpreh Basha.

Ai denoncoi se 45 biznese mbyllen çdo ditë, ndërsa shtoi se platforma antimafia e opozitës ka si synim, evidentimin, verifikimin, konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave të përfshirë në afera korruptive.

Kreu i opozitës, u zotua në rikthim të kushteve të konkurrencës së lirë mes bizneseve, ku nga më i madhi te më i vogli të jenë të barabartë para ligjit.

Basha deklaroi se është propozuar identifikimi i burimeve për çdo investim publik ose privat, pasi ka pasur një shqetësim për rritjen e ndërtimit me fonde të pajustifikuara nga sektori bankar. /a.y/noa.al

Basha: 45 biznese mbyllen çdo ditë! Pastrojmë ekonominë nga lidhja krim-politikë