Transmetuar më 24-09-2018, 08:09

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës së tij në New York, mori pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve, Meta përshëndeti bashkatdhetarët e shumtë.

Ai shprehu mirënjohje për gjithçka që shqiptarët në Amerikë kanë bërë në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

“Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunimi për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë”, u shpreh Meta.

Duke u ndalur te vizita e tij në Vatikan, ai e cilësoi si nder dhe privilegj takimin me të.

Madje shtoi se ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë.

Sipas tij, porosia e Atit të Shenjtë, ishte për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare dhe që të bëhet çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës .

“Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin”, deklaroi Meta.

Duke iu referuar vitit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Meta tha se galë kësaj figure ne ekzistojmë si komb, dhe se vepra e Skënderbeut e jashtëzakonshme, na mbrojti nga asimilimi e forcoi identitetin tonë europian. /a.y/noa.al