Transmetuar më 21-09-2018, 13:09

“Zemra ime u copëtua në njëmijë pjesë, por unë e fal këtë njeri”. Janë këto fjalët e papritura nga një grua, e cila humbi vajzën e saj të vrarë me shtatë goditje thike, në kokë, qafë dhe shpinë, teksa stërvitej.

Wendy Martinez u vra në moshën 35-vjeçare, por nëna e saj zgjodhi rrugën e faljes, për vrasësin e së bijës.

Krimi i rëndë u shënua mbrëmjen e së martës në lagjen Logan Circle të Washington, ndërsa si i dyshuar për krimin është Anthony Marquell Crawford, 23 vjeç.

Nëna e Wendy, Cora Martinez, pavarësisht dhimbjes, nuk arrin të ndjejë urrejtje ndaj të riut.

“E kam falur! Zemra ime nuk ka vend për urrejtje dhe mllef. Besojmë te gjyqtari, ai do të vendosë se çfarë meriton. Po i kërkoj edhe familjes time që ta falin, tani Wendi është në paqe dhe e lumtur”, tha gruaja për mediat amerikane.

Wendy prej pak kohësh kishte marrë një propozim për martesë, shkruan noa.al.

“Ishte shumë e gëzuar, sapo i fejuari i ishte ulur në gjunjë dhe i kishte vendosur unazën në gisht. Shkuam të shihnim dhe për fustanin e bardhë, pasi do martoheshin në dhjetor. Jetova shtatë ditët më të lumtura të jetës së saj”, tregon gruaja.

Krimi ndodhi teksa Martinez po priste për të kaluar semaforin, kur krejt papritur 23-vjeçari nisi ta qëllojë, për arsye që janë ende të paqarta. /a.y/noa.al