Transmetuar më 20-09-2018, 19:16

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka zhvilluar një takim me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Mustafa tha se temë e veçantë diskutimi mes tyre ka qenë ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presidentit Meta i prezantova pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se dialogu duhet të vazhdojë me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira”, komentoi Mustafa takimin me Metën.

Kryetari i LDK tha se në takimin me Metën, theksoi se ndryshimi i kufijve, është shumë i rrezikshëm dhe ka kujtuar se LDK-ja, është e paluhatshme me qëndrimin e saj në këtë çështje.

“I rikonfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihap temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, – tha z. Mustafa.