Transmetuar më 20-09-2018, 17:57

Për ministrin e Jashtëm grek, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ngecur për shkak të mospajtimit që kanë, sipas tij, Presidenti Meta dhe qeveria.

Ai ka deklaruar sot se negociatat janë bllokuar për shkak të rezervave të presidentit shqiptar, dhe mungesës së kuorumit të gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Kotzias i bëri këto deklarata pas takimit me homologun gjerman, Heiko Maas, të cilin siç tha, e informoi për marrëveshjen e Prespës (për emrin e Maqedonisë) dhe ecurinë e negociatave me Shqipërinë.

“Ne i bëmë negociatat me Shqipërinë. Dhe siç e dini, tani janë bllokuar jo nga ne, as nga ministria e Jashtme atje, por në problemet administrative që kanë, në mospajtimin e presidentit të vendit fqinj me qeverinë. Dhe në faktin se Gjykata Kushtetuese në këto momente nuk ka kuorumin e plotë për të funksionuar plotësisht”, tha Kotzias.

Ndërkohë, sa i përket marrëveshjes me Maqedoninë, ai u shpreh.

“Ne e mbështetëm dhe e mbështesim marrëveshjen e Prespës. Konsiderojmë, dhe nuk do të lodhem kurrë ta përsëris, se historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg. Marrëveshja na nxorri nga burgu. Disa ëndërrojnë që të futen sërish në burg. Ne nuk do t’i ndjekim”.

Për emrin e Maqedonisë, qytetarët do të votojnë në referendumin e 30 shtatorit. /k.k/noa.al/