Transmetuar më 20-09-2018, 11:40

Qëndresa Qytetare lançoi dokumentarin e shkurtër “Intervistë me Diktatorin” në ambientet e një kinemaje në kryeqytet.

Ky material synon të sjellë nëpërmjet formave të reja të komunikimit publik dhe inovacionit të vërtetat historike mbi jetën, rrugën drejt pushtetit dhe mjetet që e shndërruan Enver Hoxhën në një nga diktatorët më të egër të vendeve ish-komuniste.

Autori i kësaj interviste, Migen Qiraxhi deklaroi se ne tek qëndresa besojmë se vendi ynë do të bëhet më i mirë në qoftë se bashkëqytetarët do të njohin historinë, pasi historia na jep mundësinë të ndërtojmë një të ardhme më të mire duke mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Sot në arsimin parauniversitar lënda e historisë ka kaluar me zgjedhje për nxënësit ndërsa universitetet po mbyllin degët e historisë për shkak të politikave të gabuara që po ndiqen në këtë drejtim.

Nga ana tjetër sipas raportit të OSCE 42% e shqiptarëve mendojnë se diktatori Enver Hoxha pati ndikim pozitiv në histori e vëndit u shpreh përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare.

"Vendi ndodhet në një situatë të emergjencës kombëtare sa i përket historisë, pasi të gjithë aktorët shtetërorë dhe civilë kanë dështuar në misionin e tyre për informimin e brezit të ri. Jemi një vend ku mungojnë historianët dhe arkeologët e rinj, ku gjurmët Ilire i zbulojnë kompanitë e ndërtimit të HEC-eve dhe nostalgjikët ngjallin dy herë në vit me pankarta diktatorin Enver Hoxha", thuhet në deklaratën e Qëndresës.

Të gjithë aktorët duhet të bëhen të përgjegjshëm për këtë situatë, të gjejmë strategjinë e duhur të komunikimit me publikun, duke përdorur gjuhën e të rinjve dhe informacionin i cili është në interes të publikut dhe shoqërisë shqiptare.