Transmetuar më 20-09-2018, 10:36

Opozita është mbledhur sot në Vlorë duke vijuar rrugën e bojkotit, ndërkohë që paralelisht mbahet seanca parlamentare.

Në fjalën e rastit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Edi Rama është hajdut me damkë, i cili bën gjithçka për të mbajtur karrigen e tij dhe se vjedh pasurinë e shqiptarëve.

Ai tha se rasti i Emiljano Shullazit flet qartë se drejtësia ka rëndë, duke thënë se nuk ka prokuror që të pranojë të gjykojë banditët. Sipas ti sistemi i drejtësisë është në kolaps.

Duke folur për situatën në qytetin bregdetar, ai tha se “Në Vlorë ka një bilanc lufte. Prishja e pazareve të drogës, përplasja mes banditëve ka shkaktuar 6 të vdekur 11 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë këtë vit”.

Ai përmendi me emra krimet, vrasjet dhe plagosjet, ku etiketoi Kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për gjithçka.

Po ashtu ai shtoi se Vlora është qyteti që mban rekord për personat e zhdukur pa gjurmë, duke përmendur emër pas emri, personat që nuk dihet ku janë, ku tha se janë 18 persona pa gjurmë, ose trefishi i personave të zhdukur në çdo qark tjetër.

“Ky bilanc kriminal është kaq i rënduar në Vlorë për dy arsye të thjeshta. Rama ia dorëzoi këtë qytet Saimir Tahirit dhe më pas Fatmir Xhafaj, ndërsa i pari bënte drogën me kushërinjtë, i dyti e bën me të vëllanë”, deklaroi Basha.

Duke folur për ligjin për Teatrin Kombëtar që pritet të votohet sot në Kuvend, ai e cilësoi si një akt të paprecedentë në historinë 300 vjeçare të Europës.

“Edi Rama dhe hajdutët dhe kriminelët e tij në parlament bashkë me një luftë delesh u kapën flagrant në aktin e vjedhjes përmes procedurës së përshpejtuar dhe ligjit special Rama-Fusha për grabitjen e pronës publike dhe Teatrit Kombëtar me qëllim që së bashku me mafien e drogës dhe përfaqësuesit e tyre në industrinë e ndërtimit të ngrinin 7 kulla me një vlerë 200 milion eurosh”, deklaroi Basha.

Ai tha se një Kuvend me kriminelë nuk është vendi për të kërkuar zgjidhje por është vendi për të marrë fshesën dhe për të pastruar dhe se nuk do të ketë më asnjë ligj, reformë, pakt, negociatë apo bisedë pa zgjedhur largimin e politikanëve të lidhur me krimin, nëse kjo nuk ndodh me ligjin për vetingun e politikanëve.

“Prej nesër do ti nënshtrohen konsultimit direkt me ju të dashur qytetarë dhe me ju do të marrim vendimin final për t’i dhënë përgjigje e merituar shtetit të kapur nga krimi, duke filluar më çlirimin e Kuvendit. Naivëve dhe kaçurreleve të Ramës që pyesin pse PD dhe opozita nuk është në Kuvend u themi, Teatri nuk është shkaku por pasoja e emergjencës kombëtare”, u shpreh Basha.

Ai tha se vendi është marrë peng nga krimi dhe për këtë arsye bëri përgjegjës kreun e qeverisë. Në mbledhjen në Vlorë është e pranishme kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe ai i PDIU, Shpëtim Idrizi. /a.y/noa.al