Transmetuar më 20-09-2018, 10:22

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj paralajmëron nisjen e një aksioni sa i takon armëve.

Duke folur ditën e sotme në një aktivitet në luftën kundër trafikimit të armëve, ai tha se ka ende armë në duart e të papërgjegjshmëve.

Sipas tij, keqpërdorimi i armëve është një problem serioz dhe për këtë arsye po hartohet dhe zbatohet një strategji veprimi.

Ai bëri me dije se ministria e drejtuar prej tij po planifikon një strategji të qartë për shkatërrimin e armëve të tepërta.

“Keqpërdorimi i armëve përbëjnë një rrezik serioz për të gjithë ne. Përdorimi i tyre nga organizatat kriminale e më pas nga celulat terroriste mbetet problematik. Shqetësimi i kalon kufijtë rajonalë. Vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për një kontroll më rigoroz të qarkullimit të armëve. Gjithashtu Shqipëria ka kërkuar një zgjidhje për mbajtjen pa leje apo trafikimin e armëve”, u shpreh Xhafaj.

Ai shtoi se tragjedia kombëtare e vitit 1997 që zhvendosi në masë armë nga depot në duart e qytetarëve ka prodhuar e vazhdon të prodhojë fatkeqësi me humbje jetësh njerëzore.

“Janë ndëshkuar rastet e armëmbajtjeve pa leje, kjo ka çuar në ulje të ndjeshme të vrasjeve me armë zjarri. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe në këtë vit që jemi. Por përsëri me mesatare të ulët në krahasim me standardet e BE. Fushata ndërgjegjësuese për dorëzimin e armëve ka rezultuar përgjithësisht pozivite. Ministria e Brendshme është e angazhuar që në vitin 2019 të nisë operacionin për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim”, u shpreh Xhafaj. /a.y/noa.al